Rastet kur lëshohet një faturë tatimore e pasaktë

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ – Kur një tatimpagues i regjistruar në TVSH lëshon faturë me TVSH pa qenë i detyruar nga ligji të bëjë këtë, penalizohet sipas nenit 128 të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Nëse ky tatimpagues lëshon gabimisht faturë tatimore me TVSH, pa qenë i detyruar, por ka paguar në organet tatimore TVSH lidhur me këto fatura, atëherë nuk penalizohet.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) në rubrikën e saj “Tatimet Këshillojnë” ka publikuar një material informues për tatimpaguesit mbi rastet kur lëshohet një faturë tatimore e pasaktë.

Sipas DPT, edhe në rastet kur tatimpaguesi lëshon një faturë tatimore të pasaktë me pasojë uljen e detyrimit tatimor apo rritjen e shumës për t’u kredituar dënohet në përputhje me dispozitat në fuqi të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Fatura quhet e pasaktë kur nuk është e plotësuar me të dhënat reale financiare të subjektit dhe ndikon në detyrimin tatimor që lidhet me atë faturë. Po ashtu edhe në rastet kur nga kontrolli te tatimpaguesit rezultojnë gabime në deklarata tatimore të certifikuara nga kompanitë audituese, këto të fundit dënohen me një gjobë, në masën 50% të detyrimit tatimor të ngarkuar ndaj tatimpaguesit. Një faturë konsiderohet e saktë është ajo ku detyrimi tatimor i llogaritur është absolutisht korrekt dhe për të cilën nuk është bërë asnjë gabim aritmetik ose logjik.

Gjithashtu edhe nëse një tatimpagues konstatohet në shkelje të ligjit në rastet kur është përgjegjës për të aplikuar TVSH-në nëpërmjet “autongarkesës së TVSH-së”, dënohet me gjobë sipas rastit dhe mënyrave të parashikuara nga ligji, njofton DPT. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.