OSHEE në gatishmëri gjatë festave të fundvitit, 1500 punonjës në terren

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ – Operatori i Shpërndarjes se Energjisë Elektrike ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e furnizimit me energji elektrike gjatë ditëve të festave të fundvitit.

Janë angazhuar në terren brigada pune me punonjës nga 11 drejtoritë rajonale të OSHEE-së në vend.

Gjatë një dalje për mediet, Administratori i OSHEE Ardian Çela, tha se strukturat e kompanisë do të zbatojnë planin e masave që aplikohet në çdo periudhë kur pritet fluks ngarkese në rrjet.

OSHEE bën me dije se në të gjitha rajonet e vendit janë vendosur në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit për të raportuar çdo defekt që do të ndodhë në zonat e tyre të banimit.

Po ashtu, drejtoritë rajonale të OSHEE janë pajisur me bazë materiale të domosdoshme si kabëll, izolatorë, përcjellës, të cilët do të shërbejnë për eliminimin sa më shpejt të çdo avarie që mund të ndodhë në rrjet.

Gjatë ditëve të festave, mbi 1500 punonjës do të jenë në gatishmëri të shpërndarë në terren. Gjithashtu  në çdo qytet janë publikuar hartat dhe numrat e emergjencës, që janë në shërbim 24 orë për qytetet të ndryshme të vendit.

Risi e këtij viti, është se që pas çdo telefonate që do të vijë nga qytetarët për raportim defekti, qytetari do të rimerret në telefon pasi t’i jetë zgjidhur problemi për konfirmim.

I pyetur nga mediet për situatën e krijuar në Korçë ku mesnatën e 25 dhjetorit u dogj një transformator i nënstacionit Korçë që furnizonte disa lagje të qytetit dhe rrethinat e saj, administratori tha se, “defekti në Korçë është një ndër ato raste që ndodh një në shumë vite, por që arriti të riparohej në kohë reale nga punonjësit e OSHEE-së, pavarësisht temperaturave disa gradë nën zero.

“Punonjësit tanë janë për tu përshëndetur, pasi është një nga ato defekte që kërkon mbi 48 orë punë dhe që është zgjidhur në kohë reale, por ata kanë punuar gjatë gjithë natës, pavarësisht temperaturave të ulëta”.

“Tashmë qyteti i Korçës dhe fshatrat përreth do të furnizohen me energji elektrike normalisht”, u shpreh Administratori i OSHEE. /o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.