Në 1 janar 2019, Shqipëria merr kryesinë e CEFTA-s

Alban Zusi, drejtor Ekzekutiv i “Albania Food Industry”: Shqipëria në kryesimin e CEFTA-s, mundësi shumë e mirë për të influencuar në heqjen e barierave tregtare

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/- Shqipëria merr kryesinë e CEFTA-s (Komiteti për Tregtinë e Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore), më 1 janar 2019 dhe kjo shihet nga komunitetit i biznesit  si një avantazh shumë i mirë, për të influencuar më shumë në heqjen e barierave tregtare mes vendeve anëtare.

Alban Zusi, drejtor i industrialistëve ushqimorë në Shqipëri, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) e vlerësoi avantazh të madh, që gjatë vitit të ardhshëm Shqipëria do të jetë në kryesimin e CEFTA-s (Komitetit Ekzekutiv për Tregtinë ndërrajonale) pasi siç u shpreh ai, “duke qenë se sekretariati dhe elementët ekzekutivë të CEFTA-s do të jenë në Shqipëri, kemi një mundësi shumë të mirë për të influencuar në heqjen dhe lehtësimin e barierave tregtare mes vendeve, me impakt në nxitjen e tregtisë”.

Zusi theksoi se, ne kemi mundësi për të qënë një ekonomi konkurruese. Në këndvështrimin e sipërmarrësit dhe duke e njohur mirë ekonominë e vendit, ai shprehu bindjen se, “ekonomia shqiptare është një ekonomi konkurruese me vendet e tjera të rajonit, por ne jemi të kufizuar për shkak të këtyre barierave që na vijnë nga vendet e rajonit, të cilat ne asnjëherë nuk kemi marrë përsipër për t’i adresuar zyrtarisht”.

Është një fakt i njohur që Shqipëria ka numrin më të ulët të ankesave në drejtim të vendeve të tjera, shpjegon Zusi, sipas të cilit, “kjo do të thotë që ka qënë relativisht e kufizuar vëmendja e autoriteteve publike ndaj problematikave dhe barierave që biznesi shqiptar has në tregtinë ndërrajonale”.

Biznesi shqiptar aspiron zgjerimin e tregtisë me vendet e rajonit, përmes lehtësimit të barierave tregtare, tregues i cili ka impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e treguesve ekonomikë, punësimin dhe të të ardhurave. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.