Konsultim publik për pr/ligjin e kodit të sjelljes në kërkimin shkencor

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama njoftoi sot hapjen për konsultim publik të draftligjit “Për kodin e sjelljes për integritet në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Ky ligj vjen si nismë e qeverisë përtej pikës katër të kërkesës së studentëve, për cilësinë e mësimdhënies.

“Ky është një projektligj që besojmë se adreson në mënyrë precize një problematikë komplekse dhe u jep mundësi të gjithëve të përfshihen në konsultimet publike dhe për t’i dhënë atij sa më parë formën përfundimtare dhe për ta vendosur si bazë të një procesi ku në bazë të vendimmarrjes së sotme do të krijohet një arkiv dixhital i doktoraturave në Republikën e Shqipërisë, pranë Ministrisë përgjegjëse për Arsimin”, – nënvizoi Rama në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, e cila u mblodh posaçërisht për të marrë në shqyrtim 8 kërkesat e studentëve si dhe Paktin për Universitetin.

Kryeministri theksoi se “kodi i Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë, më poshtë Kodi i Etikës, përmban parimet dhe normat themelore të sjelljes së institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre si edhe personelit të tyre akademik a kërkues shkencor, konform Kodit Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor”.

“Kodi i Etikës synon të ruajë, të garantojë dhe të mbrojë pastërtinë dhe integritetin akademik, profesional, institucional dhe moral të veprimtarisë akademike e kërkimore- shkencore në Republikën e Shqipërisë, është konform standardeve ndërkombëtare bashkëkohore të veprimtarisë akademike dhe të kërkimit shkencor”, – tha Rama. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.