Ekselentët do të plotësojnë vendet vakante të administratës jashtë shërbimit civil

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ – Pozicionet vakante për vitin 2019, specialistë që janë të barazvlefshëm në institucionet e administratës shtetërore jashtë shërbimit civil, do të plotësohen nga studentët e ekselencës të diplomuar që prej vitit 2017.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, bëhet e ditur se punësimi i tyre do të bëhet fillimisht me kontratë 1-vjeçare, duke përjashtuar nga ky rregull pozicionet e kësaj kategorie që legjislacioni specifik përcakton kritere të posaçme në lidhje me vjetërsinë dhe zotërimin e certifikimeve të ndryshme.

“Institucione të administratës shtetërore jashtë shërbimit civil”, janë institucionet e varësisë së Kryeministrit apo ministrave, për të cilat marrëdhëniet e punësimit të nëpunësve/punonjësve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

E drejta e përzgjedhjes është sipas precedencës, si më poshtë vijon:

  1. a) Studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së;
    b) Studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri;
    c) Studentët e diplomuar në institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECD-së ose BE-së.

Diplomat e përfituara jashtë vendit duhet të jenë të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sipas legjislacionit në fuqi.

Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit menaxhohet nga Kryeministria, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë.

Kryeministria dhe ministritë e linjës shpallin publikisht në faqet e tyre zyrtare, thirrjen për shprehjen e interesit të studentëve të ekselencës që duan të punësohen përkohësisht në institucionet e tyre të varësisë, sipas kërkesës së këtyre të fundit, përkatësisht brenda muajit janar 2019 dhe muajit gusht 2019.

Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Kryeministrisë, apo ministrisë që ka bërë shpalljen publike në mënyrën e përcaktuar në të, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në faqen përkatëse zyrtare. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.