Ambasada e Shqipërisë në SHBA, pritje dedikuar diasporës

TIRANË,25 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Ambasada e Shqipërisë në SHBA, ka organizuar pritjen e fundvitit, dedikuar diasporës shqiptare ne SHBA.

Ambasada e Shqipërisë në SHBA shprehet se në kuadrin e “Dyerve të hapura të Ambasadës”, me një ftesë të hapur për të gjithë, festuam së bashku me bashkë atdhetarët tanë, përmbylljen e vitit 2018.

Në fjalën e rastit, ambasadorja Floreta Fabe, bëri një ekspoze të punës së Ambasadës përgjatë këtij viti, e cila është karakterizuar nga një axhendë e pasur diplomatike, duke përshirë vizita të nivelit të lartë, dhe pjesëmarrje aktive në forumet ndërkombëtare të organizuara ne Uashington DC, të cilat kanë fuqizuar edhe më shumë marrëdhëniet SHBA- Shqipëri.

Gjithashtu, Ambasadorja theksoi se një vend të rëndësishëm në punën e Ambasadës kanë zënë edhe veprimtaritë që Ambasada ka organizuar dhe bashkë organizuar me shoqatat shqiptare në SHBA, dedikuar Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut si edhe marrëdhëniet me diasporën, duke pasur si qëllim kryesor mbështetjen në ruajtjen dhe përçuarjen e identitetit dhe vlerave kombëtare.

Pritja vijoi me një atmosferë festive e shoqëruar me muzikë dhe kulinari shqiptare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.