TURQI – Ankaraja dërgon përforcime në kufi me Sirinë

STAMBOLL, 24 dhjetor /ATSH-DPA/ – Turqia ka dërguar përforcime në pozicionet pranë kufirit me Sirinë, pavarësisht deklaratave të mëparshme se një ofensivë ushtarake e planifikuar ishte shtyrë, njoftoi sot agjencia shtetërore “Anadoll”.

“Përforcimet turke, përfshirë trupa dhe kamionë që mbajnë tanke dhe topa, mbërritën në provincën juglindore të Kilis”, njofton agjencia “Anadoll”.

“Ndërkohë, brenda në Siri, luftëtarët e opozitës siriane që mbështeten nga Turqia janë vendosur në zonat pranë qytetit Manbij në veri të Sirisë, që kontrollohet nga Kurdët”, thotë “Anadoll”.

Anadoll raporton se “këto përforcime mund të përdoren për një operacion të mundshëm në Manbij”. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.