PD: Në skandalin e Unazës së Re, jo vetëm Veliaj, por dhe Ahmetaj

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Skandali i projektit rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe përfshin jo vetëm kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por edhe ministrin e Financave Arben Ahmetaj, u shpreh sot deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

“Erion Veliaj mashtroi, kur deklaroi se projekti nuk ekziston dhe se nuk ka leje ndërtimi për të. Projekti 60 milionë euro i Edmond Begos e ka kaluar fazën e parë të miratimit për leje ndërtimi. Veliaj është përgjegjës me firmën e tij për ndryshimin e planit urbanistik të Tiranës. Sipas planit të 2013-ës, lumi Lanë zinte një sipërfaqe të konsiderueshme të tokës, ku Bego ka planifikuar të ndërtojë”, shprehet ajo.

Tabaku u shpreh se “edhe Arben Ahmetaj, mashtroi kur tha se ministria e drejtuar prej tij nuk ka patur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës”.

Nga ana e saj, Ina Zhupa, zëdhënëse e Partisë Demokratike u shpreh se “Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016″.

Më tej, Zhupa shton se “vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, Ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish- serrat, pranë Unazës së Madhe”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.