TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/- Banka e Shqipërisë beson te regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe ndërhyrjet eventuale mund të motivohen vetëm në funksion të objektivit të inflacionit apo korrigjimit të çrregullimeve të përkohshme.
Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë një konference për shtyp në ambientet e BSH-së, duke argumentuar se, zhvlerësimi i monedhës europiane në këmbim me lekun, është si rezultat i faktorëve sezonalë.
Sejko tha se, aktualisht tregu nuk ka çrregullime dhe lëvizjet reflektojnë faktorë sezonalë dhe ofertën e lartë të euros.
“Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 400 milionë euro këtë vit, në funksion të stabilizimit të kursit dhe rritjes së rezervës valutore. Jemi në një situatë aktuale që ka shumë hyrje valute nga investimet, remitancat. Analiza vazhdon, sepse është kohore. Ne do të ndërhyjmë kur të shikojmë që preken këto parametra që thashë”, – tha Guvernatori. /e.xh/e.caushi/