FOTO/ “Një shpresë më shumë”, Kastriot Tusha koncert në Gjirokastër

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ – “Një shpresë më shumë” titullohej koncerti që tenori i njohur Kastriot Tusha solli në fundjavë për artdashësit gjirokastritë në prag të Krishtlindjes.

Në koncertin e organizuar në teatrin “Zihni Sako” “Mjeshtri i Madh”, Kastriot Tusha interpretoi së bashku me sopranon Ulpiana Aliaj, si dhe instrumentistët e ansamblit “Egnatia” nën drejtimin e mjeshtrit Zeqir Sulkuqi.

Koncerti i mbështetur nga bashkia e Gjirokastrës solli muzikën lirike shqiptare, por edhe copëza prej muzikës ritmike të Greqisë dhe Italisë.

Ky koncert lirik i fundvitit u mirëprit nga publiku gjirokastrit.

Përsa i përket jetës kulturore në Gjirokastër, Teatri i këtij qyteti përgjatë vitit 2018 ka sjellë një seri ngjarjesh artistike, që kulmuan me Festivalin Kombëtar të Teatrit. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.