Festat e Fundvitit, Thaçi drekon me ushtarët në kazermën e kryeqytetit

PRISHTINË, 24 dhjetor /ATSH/ – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të drekojë sot me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë në prag të festave të fundit të vitit të vendimit për transformimin në ushtri.

Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarësh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 dhjetor 2018 dhe kjo vlerësohet ngjarja e vitit.

Pas seancës së Kuvendit, të vendimit për transformimin e FSK-së, u zhvillua edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila me ligj tani është Ministri e Mbrojtjes.

Presidenti Thaçi, një ditë para seancës së Kuvendit të vendimit për ndryshimin e mandatit  të Forcës së Sigurisë së Kosovës inspektoi ushtarët në kazermën e kryeqytetit.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.