Ersekë, Lëvizja Kombëtare për Lexim afron fëmijët me librin

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ –  Erseka ishte destinacioni i radhës i Lëvizjes Kombëtare për Lexim.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro edhe ekipi i kësaj lëvizjeje dhuruan e lexuan libra për nxënësit e shkollës “Papa Kristo Negovani” në qytetin e Ersekës.

E veçanta për Ersekën ishte se takimit iu bashkua edhe personazhi i Gishtos, simboli i Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Ai u interpretua nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Kukullave Erion Isai, njëherësh nxënës i shkollës “Papa Kristo Negovani”, Ersekë.

Gishto i LKL-së thërret fëmijët shqiptarë të rriten duke lexuar ”që të kenë mendje të hapur dhe të ruajnë këtë zemër të madhe e bujare edhe kur të rriten”.

Lëvizja Kombëtare për Lexim nisi nga Kukësi dhe po udhëton në të gjithë Shqipërinë, në një nismë në të cilën janë bashkuar edhe personazhe publikë të jetës në vend si Ardit Gjebrea, Lorik Cana, Valbona Selimllari, Rudina Xhunga, etj.

LKL do të shtrihet gjatë gjithë vitit shkollor 2018-2019. Si e tillë kërkon përfshirjen dhe ndihmesën e të gjithëve: prindër, mësues, personalitete të vendit, medias, institucioneve qendrore dhe vendore. Janë zgjedhur 12 shkolla pilot në të gjithë vendin, shkolla periferike, ku përveç pasurimit të bibliotekave të shkollave, do të synohet trajnimi i mësuesve për të përçuar sa më mirë dëshirën për leximin, hapjen e shkollave për prani të autorëve, përkthyesve, njerëzve të letrave në orë të caktuara letrare, leximin ndoshta edhe me “detyrim” për 15 minuta çdo ditë të premte, aq sa për të ndezur dëshirën për një vijueshmëri të leximit në fundjavë.

Lëvizja synon gjithashtu të bëjë shembull gjyshet dhe prindërit që u lexojnë fëmijëve në shtëpi. Në kopshtet e zgjedhura si model do të zhvillohen lexime të përjavshme nga gjyshërit e fëmijëve.

Hapat konkretë që do të ndërmarrë Ministria e Kulturës kanë të bëjnë me nxitjen e kryebashkiakëve për t’u angazhuar në mbështetjen e bibliotekave publike me një fond të përvitshëm, si dhe të Ministrisë së Arsimit për pasurimin e bibliotekave shkollore. Ministria e Kulturës është në proces edhe për ndërhyrje ligjore për përmirësimin e klimës së librit në tërësi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.