Berat, fëmijët e kopshteve koncert për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/- Fëmijët e kopshteve të bashkisë së Beratit prezantuan në fundjavë përpara edukatoreve, prindërve, mësuesve dhe qytetarëve, me koncertin e tyre të përgatitur për festat e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri.

Në koncertin e organizuar në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”, përmes veshjeve karakteristike të festave, gjithë hare, gëzim dhe buzëqeshje, me këngët, vallet dhe recitimet, fëmijët krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe mjaft emocionuese për spektatorët, të cilët shoqëruan me duartrokitje interpretimet e tyre.

Programi festiv i fëmijëve u përshëndet nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Berat, Selman Hodaj dhe drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Teuta Muçogllava, të cilët përgëzuan fëmijët për atmosferën e krijuar.

Ata i uruan fëmijët për festa sa më të gëzuara dhe sa më të lumtura bashkë me familjet e tyre.

Ditët e fundit në bashkinë e Beratit janë organizuar një sërë festash për fëmijët e kopshteve dhe shkollave të qytetit. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.