Atmosfera e ngrohtë, Puka në prag festash më turistike se kurrë

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/- Një atmosferë festive ka përfshirë qytetin verior të Pukës, të kthyer tashmë në një destinacion turistik.

Puka ofron për vizitorët në prag të Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve një peizazh të harmonishëm alpin, ku reflektimi i dritave mbi liqen, sjell një pamje mbresëlënëse, sidomos në këto ditë dimri.

Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, duke uruar qytetarët për festat e fundvitit shprehet se “falë dhe atmosferës të fundvitit, gjë për të cilën u bë e mundur nga shumë kompani sponsorizuese, e sjellim Pukën aty ku deshëm, në atë që e ëndërruam për vite e vite të tëra”.

“Sot kemi një Pukë që ka kthyer tërësisht faqen, qoftë nga investimet dhe qoftë nga ngrohtësia e atmosferës së fundvitit”, u shpreh Gjonaj.

Sipas tij, me anë të investimeve të kryera në Pukë janë ofruar kushte ideale për të gjithë shtresat e komunitetit pukian, po ashtu edhe për vizitorë të ndryshëm, qoftë nga emigracioni, qoftë edhe nga qytete të tjera.

Gjonaj beson se sot në Pukë gjen të veçantat e saj qoftë nga pastërtia, mikpritja dhe ngrohtësia e ambientit për fundvit.

Qendra e qytetit të Pukës dhe Liqenit të Vogël po përjeton një ndërhyrje të rëndësishme, që synon ta shndërrojë atë dhe rrethinat e tij në një atraksion të ri turistik gjithëvjetor.
Puka e ndodhur në qendër të Shqipërisë veriore ofron një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë për shëtitje, ski, alpinizëm, etj. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.