Rama takon efektiven Nuka pas ndërhyrjes së suksesshme në Turqi

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/264958410843280/

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim efektiven e policisë, Ina Nuka e cila u kthye në Tiranë pas një operacioni të vështirë, por të suksesshëm në Turqi.

Duke i uruar efektives rehabilitim të shpejtë, Kryeministri shprehu bindjen se ajo do të vazhdojë të shërbejë me edhe më shumë pasion e vendosmëri, në radhët e Policisë së Shtetit.

Kryeministri theksoi se ka qenë vetë Presidenti Erdogan që është interesuar pranë mjekëve për rastin e saj.

“U kujdes personalisht Presidenti Erdogan dhe mjekët ishin shumë të shqetësuar, pasi fillimisht thanë, pa ditur gjë, që nuk është problem dhe pastaj kur morën gjithë të dhënat dhe faktin se gishti ishte krejt i shkatërruar ata u futën në panik dhe u ra optimizmi. Mjekët thanë se këtu është fjala të bëjnë një implantim tjetër, që nuk është rutinë e punës së tyre. Por patën edhe shtysën nga ne dhe shtysën nga Presidenti i tyre dhe e morën atë risk me shumë sukses”, – tha Rama.

Ai u shpreh se “nga informacionet që ka marrë është bërë implanti dhe gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve më optimiste”.

“Ne jemi shumë krenar për ty. Do të bëjmë një vendim qeverie për të dhënë një mbështetje financiare dhe morale që të kesh ndjesinë e plot të solidaritetit tonë, por edhe mundësinë që të rikuperohesh qetësisht. Pastaj, patjetër të integrohesh në Polici”, – tha Rama.

Duke informuar mbi ecurinë e ndërhyrjes në Turqi, efektivja Nuka u shpreh se edhe për vetë mjekët situata ishte shumë e papritur dhe ndaj e mbanin gjithë kohën në vëzhgim për të parë se si do të reagonte.

Ajo tha se mjekët e kishin siguruar se brenda 6 muajve do të ketë ndjeshmërinë e gishtit që u bë implanti, ndërsa këtë javë do të nisë fizioterapia deri sa të merret komplet funksionimi i dorës, sepse nuk është 100% funksionale.

“Kur kam shkuar te mjekët në Turqi jam futur direkt në sallë për të bërë ndërhyrjen e parë. Nëse do të vonohesha qoftë edhe me 2 orë, mjekët më thanë se dorën nuk do ta kisha fare”, – tha Nuka./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.