Rinovimi i konvikteve të Inxhinierisë, kushte optimale për 1080 studentë


TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ – 1080 studentë do të akomodohen në kushte optimale në konviktet e e Inxhinierisë së Ndërtimit, brenda muajit mars, ndërkohë që në dy godinat ku kanë përfunduar punimet, janë akomoduar 570 studentë.

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në konviktet e  Inxhinierisë së Ndërtimit, aty ku tashmë, falë një marrëveshjeje me qeverinë gjermane, kanë përfunduar së rinovuari dy godina, dhe brenda muajit mars do përfundojnë edhe dy godina të tjera.

“Plani ynë për përmirësimin e kushteve në konvikte, ka nisur të zbatohet kohë më parë. Por nga ana tjetër, kjo pikë e artikuluar së fundmi, si një kërkesë e studentëve, është një shtysë e nevojshme për të ecur më shpejt”, theksoi Kryeministri Rama.

Gjatë inspektimit, kryeministri takoi disa studente të cilat prej disa kohësh janë akomoduar në godinat e reja. Duke bërë krahasimin me godinat e vjetra, njëra prej tyre i tha kryeministrit se “këto janë si nata me ditën”. Një studente tjetër u shpreh se “këtu është 1000% më mirë kur kujtojmë si ishte”.

Konviktet e rinovuara kanë sistem emergjence në rast zjarri, kuzhina në çdo kat, sistemi i ngrohjes është nga dyshemeja 24 orë, ndërkohë që janë pajisur edhe me panele diellor. Në godina ka lavanderi, rrobaqepësi si dhe psikolog. Po, ashtu ka internet në çdo dhomë, dhe çdo apartament ka tualet personal. Edhe salla e studimit ka ngrohjen në dysheme si gjithë pjesa tjetër e godinës.

Në fund, kryeministri tha se “këto janë kushte dhe standarde njëlloj si në Gjermani, kjo do jetë pararoja e standardeve, me godinat e tjera do veprojmë më shpejt”, nënvizoi  kryeministri Rama. /o.l/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.