Mekanika bujqësore, Halili: Zero TVSH, incentivë që i përgjigjet kërkesave të tregut

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ – Duke nisur nga janari 2019, çdo lloj makinerie që ka destinacion bujqësinë, do të importohet dhe tregtohet brenda vendit me zero TVSH.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halili tha në një intervistë për ATSH-në, se “heqja e TVSH-së për importin e makinerive bujqësore si dhe për subjektet që janë të interesuar t’i tregtojnë ato në tregun vendas, është një masë tjetër e një rëndësie të veçantë, që qeveria i adreson bujqësisë“.

Është një masë që do të rrisë përdorimin e mekanikës në bujqësinë shqiptare, duke rritur eficiencën në prodhim, si dhe do të sjellë një ulje të kostos në prodhimit, duke i bërë produktet “Made in Albania” më të konkurrueshëm në tregun vendas dhe ato të huaja, theksoi ai për ATSH.

Halili shpjegon se, aktualisht tregu i makinerive është treg importi, por TVSH-ja zero që nis aplikimin si në doganë (pra në momentin kur importohen), por edhe në rishitjen e makinerive në tregun vendas, i jep një dinamikë të re përdorimit të mekanikës bujqësore dhe zhvillimit të sektorit.

“Fragmentizimi i tokës bujqësore, është një nga arsyet kryesore të nivelit të ulët të mekanizimit të bujqësisë shqiptare. Mendoj që 10% është niveli i mekanizimit, krahasuar me nevojat për mekanikë. Ndaj zerimi i TVSH-së, vjen si një incentivë e qeverisë në paketën fiskale 2019, që i përgjigjet plotësimit të kërkesave së tregut për makineri bujqësore dhe zhvillim të bujqësisë”, theksoi për ATSH-në, zv.ministri i Bujqësisë, Halili. /e.xh/r.e/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.