FIFA: Botërori 2018 u ndoq nga më shumë se gjysma e planetit

PARIS, 22 dhjetor /ATSH-AFP/ – Finalja e Kupës së Botës u ndoq drejtpërdrejtë nga 1,12 miliardë persona në botë, njoftoi FIFA në një komunikatë të publikuar dje, sipas të cilës më shumë se gjysma e planetit është interesuar për Botërorin.

“Një total prej 3,576 miliardë personash, më shumë se gjysma e popullsisë botërore me mosha nga 4 vjeç dhe sipër, është informuar për kompeticionin më të fundit botëror”, shpjegon FIFA.

“Numri i personave që ka parë të paktën një minutë në televizionin e tyre në shtëpi është 3,262 miliardë, ndërkohë që 309,7 milionë persona nuk e kanë ndjekur në linjën normale por nëpërmjet platformave informatike, në zona publike apo në bare dhe restorante”, thuhet në këtë komunikatë.

Personat që panë finalen e fituar nga Franca përballë Kroacisë (4-2) më 15 korrik ishin 884,37 milionë që e ndoqën në televizion ndërkohë që 231,82 milionë e ndoqën jashtë shtëpisë ose nëpërmjet platformave informatike./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.