Buxheti 2019, objektivat për rritje ekonomike e mbështetje sociale

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/- Buxheti i shtetit për vitin 2019 është në sinkron me objektivat, kryesorë të qeverisë për rritjen ekonomike të vendit dhe mbështetjen sociale.

I projektuar në mbështeje të konsolidimit të mëtejshëm të reformave të ndërmarra që promovojnë rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian, buxheti 2019 është optimist për rritjen ekonomike, uljen e deficitit, rritjen e të ardhurave dhe i kujdesshëm në shpenzime për të shmangur çdo lloj rreziku të mundshëm.

Për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike parashikohet 4,3%, defiçiti në 1,9% dhe rritja e te ardhurave shënon me  4,7%. Ndërsa të ardhurat totale në arkën e shtetit pritet të arrijnë në 486.4 miliardë lekë.

Buxheti 2019, planifikohen më shumë burime si rezultat i politikave fiskale të cilat do të vazhdojnë të bazohen në taksimin e ndershëm dhe në nxitjen e investimeve private strategjike në sektorët prioritarë.

Ky program bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi. Synon  reduktimin gradual dhe të targetuar të barrës tatimorë nëpërmjet uljes së tarifave të tatimit dhe përjashtimeve të studiuara.

Projektbuxheti i vitit 2019 synon të shpërndajë në mënyrë më të drejtë barrën fiskale, duke ulur ngarkesën për grupe, kategori dhe sektorë të caktuar

Në aspektin social, buxheti kulmon me rritjen e pagave në sektorët e shëndetësi, arsim parauniversitar, mbrojtje dhe sistemi penitenciar me një rritje prej 7%.

Gjithashtu parashikohet dhe një rritje e pagës për punonjësit e përfaqësive diplomatike. Numri i përfituesve është 64 865 punonjës me një kosto prej 3 miliardë lekë në vit.

  • Në shëndetësi përfitojnë 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, në total 18,415 punonjës me një fond vjetor prej 1 miliardë lekë;
  • Në arsim përfitojnë 35,783 staf mësimor me një fond vjetor prej rreth 1.4 miliardë lekë;
  • Në mbrojtje përfitojnë 6,800 ushtarakë, më një fond vjetor prej rreth 300 milionë lekë;
  • Në sistemin penitenciar, përfitojnë 3,560 policë të burgjeve më një fond vjetor prej 177 milionë lekë.
  • Në sektorin e jashtëm, përfitojnë mbi 356 punonjës, me një fond vjetor prej 120 milion lekë.

Përmes lehtësimit të barrës fiskale në vitin 2019 përfitojnë:

  • Mbi 15 mijë punëmarrës nga ulja e normës së tatimit mbi pagat e nivelit të mesëm;
  • 20 mijë biznese ose mbi 50 mijë investitorë të kapitalit nga ulja e normës së tatimit mbi dividentin;
  • 11 mijë biznese përfitojnë nga ulja e normës së tatimit mbi fitimin me 2/3;
  • Mbi 50 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor nga incentivimi i fermerëve të inkorporuar;
  • Nga ulja e taksave të ndryshme si ajo e ambalazheve përfitojnë ulje kostoje dhjetra operatorë të fushës;
  • Nga përjashtimet e parashikuara në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, lehtësohet veprimtaria e qindra operatorëve ekonomikë në industrinë e fasonit, atë farmaceutike, makinerive bujqësore.  Ndërsa nga bonusi për çdo lindje, me synim përmirësimin e treguesit demografik të moshës mesatare të popullsisë nga e cila parashikohet të përfitojnë rreth 30 mijë familje. e.xh/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.