Basha: Çlirimi i politikës nga krimi, domosdoshmëri

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bashkua sërish sot pasdite me protestën e banorëve që preken nga projekti i “Unazës së Re” të Tiranës, prej nga ka komentuar edhe rrëzimin në Kuvend të nismës së PD-së për vetingun e politikanëve.

“Çlirimi i politikës nga politikanë të lidhur me krimin dhe politikanë që justifikojnë pasurinë e tyre është domosdoshmëri. Unë e di që shumica e shqiptarëve e mbështet këtë. Shumica e shqiptarëve kanë kërkuar një zgjedhje për këtë. Dje politikanët me integritet patën rastin ta votonin, por siç e patë dje në Kuvendin e Shqipërisë nuk ngriti kartonët një shumicë që përfaqëson popullin, por një pakicë që zhvat, vjedh dhe grabit popullin. Kjo është domethënia e votimit dje.  Dje ka ndodhur vetingu i vërtetë i politikanëve. Të gjithë ata që kanë ngritur kartonat kundër ligjit të vetingut të politikanëve kanë dalë hapur si bashkëpunëtorë të krimit dhe vjedhjes”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu sërish mbështetjen për protestën e studentëve dhe atë të banorëve të Unazës së Re, duke u kërkuar qytetarëve të tregojnë qëndresë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.