Shkodër, koncert i fëmijëve të qendrave komunitare

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ – “Së bashku për një jetë më të mirë”, titullohej koncerti i organizuar nga bashkia e Shkodrës, në kuadër të festave të fundvitit në Qendrën Komunitare Multifunksionale “Për Familjen”.

Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit ‘’Arti kundër dhunës’’ nga Fondacioni Arte dhe ka për qellim rritjen e ndërgjegjësimit për të parandaluar fenomenin e dhunës kundër të miturve dhe grave në grupet vulnerable përmes përfshirjes në aktiviteteve artistike.

Në sloganin “Së bashku për një jetë më të mirë”, për të kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe zbutjen e këtij fenomeni, performuan fëmijët e Qendrave Komunitare “Për Familjen” të bashkisë Shkodër si dhe kori dhe solistët e shoqatës ‘’Rozafa Ekspression’’ me Drejtor Artistik dhe Mjeshtër Kori prof. Zef Çoba.

Projekti zbatohet në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), i cili financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Bashkia Shkodër, si një ndër 12 bashkitë partnere të Programit ReLOaD në Shqipëri, është bashkë financuese dhe bashkë zbatuese e programit, për projektet që po zbatohen në territorin e bashkisë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.