Pacolli: FSK do të fuqizojë identitetin dhe shtetësinë kosovare

PRISHTINË, 21 dhjetor /ATSH/ – Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli deklaron se ambicia e Kosovës është të krijohet një ushtri me të vërtetë gjithëpërfshirëse, e cila do të fuqizojë Kosovën dhe një hap përpara për të tejkaluar ndarjet rajonale.

Pacolli në një opinion EU Observer, tha se transformimi i FSK-së e simbolizon statusin e Kosovës si shtet i pavarur, status i konfirmuar nga 116 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, së bashku me 82% të shteteve anëtare të BE-së dhe 86% të shteteve anëtare të NATO-s.

“Projekt ligjet e votuara në Parlamentin tonë javën e kaluar, parashohin një ushtri prej 5000 ushtarëve aktiv dhe 3000 rezervistëve. Me pak fjalë, kjo përbën përfundimin logjik dhe të natyrshëm të zhvillimit të aparatit të sigurisë së Kosovës. Është hap i domosdoshëm të cilin Kosova duhet marrë, si shtet i pavarur dhe si pjesëtar i bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Pacolli shton se “transformimi i FSK-së e simbolizon statusin e Kosovës si shtet i pavarur, status i konfirmuar nga 116 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, së bashku me 82% të shteteve anëtare të BE-së dhe 86 për qind të shteteve anëtare të Nato-s”.

Sipas tij, zhvillimi i Kosovës, siguria e popullit të saj dhe stabiliteti i rajonit të gjerë nuk mund të mbahen peng nga kjo çështje.

“Tani, projekti jonë përkrahet nga disa anëtarë kyç të NATO-s, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Por, është e rëndësishme që çështja të kuptohet nga bashkësia më e gjerë ndërkombëtare, sepse ende ka keqkuptime në lidhje me qëllimin e projektit tonë. Logjika mbizotëruese është që FSK-ja e sendërtuar dhe e transformuar do të jetë faktor i sigurisë së brendshme për Kosovën dhe stabilitetin në një rajon jo stabil.

Për më tepër, status quo-ja e rregullimit të sigurisë tonë kombëtare nuk është e qëndrueshme, dhe roli i FSK-së do të jetë qenësor për të mbrojtur tërë popullin kosovar me profesionalizëm të shtuar dhe mendim rigoroz ushtarak të paanshëm”, thekson ai.

Ai vuri në dukje se ambicia jonë është të krijohet një ushtri vërtetë gjithëpërfshirëse, pavarësisht etnisë, e cila në mënyrë paqësore do të fuqizojë identitetin dhe shtetësinë kosovare dhe do të jetë një hap përpara për të tejkaluar ndarjet rajonale.

“Tranzicioni i FSK-së do të përfshijë dhe do të përfaqësojë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. FSK-ja natyrisht do të jetë qenësore në ruajtjen e sovranitetit të Kosovës, në koordinim të plotë me aftësinë mbrojtëse të fqinjëve të saj. Kjo do t’i mundësojë Kosovës të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, si në periudhë afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë, nëpërmjet pjesëmarrjes në operacione paqeruajtëse shumëpalëshe dhe në organizimet e shtuara kolektive të sigurisë. Është pjesë e synimit strategjik të Kosovës që së shpejti të bëhet anëtare e NATO-s, sikurse fqinjët e saj Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia”, përfundoi ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.