Manja: Vetingu në politikë? Përgjigjja është SPAK dhe BKH

TIRANË,21 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – “Nëse do Vetting politik opozita, përgjigjja është e  qartë, SPAK dhe BKH për t’i bërë hetim penal dhe pasuror politikanëve dhe zyrtarëve të këtij vendi, pa dallim krahu politik”, tha deputeti i PS-së, Ulsi Manja, duke folur sot në Kuvend.

Në fjalën e tij, deputeti i PS-së Manja tha se diskutimi për vetingun në politikë është i rëndësishëm, sepse po diskutohen amendamente të ndryshimeve kushtetuese, po kërkohet të ndërhyhet në ligjin themeltar të shtetit që është Kushtetuta.

“Si gjithmonë edhe në rastin e miratimit të opinionit final të Venecias në lidhje me vetingun e opozitës, debati me ju ka qenë dhe do jetë kush fitoi dhe kush humbi. Ju kolegë të opozitë humbjet i shihni si fitore”, – tha ai.

Manja shtoi se opinionet juridike duhen lexuar siç duhet sepse drejtësia ka rregullat e saj strikte dhe duhen zbatuar me korrektësi për të mbrojtur sistemin juridik dhe kushtetues të vendit nga dëshirat e shfrenuar të politikës për pushtet.

“Nisma u konsultua gjerësish në disa seance të hapura me ekspertët vendas, konstitucionalistë të fushës, me botën universitare dhe akademike, me studentë dhe pedagogë të fakulteteve të drejtësisë, ku u theksua fakti se nisma ka probleme të rënda në lidhje me kushtetutën dhe se ka ardhur koha që Shqipëria të heqë dorë nga ndërhyrjet e shpeshta në Kushtetutë, nga komisionet Ad-hoc dhe komisionet e Vetingut”, tha ai.

Manja shtoi se duhet t’u japim besimin e duhur organeve kushtetuese të vendit, atyre ekzistuese dhe atyre që po krijohen në kuadër të Reformës në Drejtësi.

“Por si përherë, mendimi juridik vendas edhe pse është në një nivel të lartë nuk është respektuar dhe nuk është marrë në konsideratë nga politika asnjë herë, ndaj dhe ne si mazhorancë përkundrejt mendimit të opozitës, nismën e dërguam në Venecia, sepse bëhet fjalë për Kushtetutën e vendit”, tha ai.

Por çfarë tha Venecia? Deputeti i PS-së Manja, argumenton se “Venecia tha se nisma e pozitës nuk vjen në një vakum ligjor, pasi Shqipëria ka kuadrin kushtetues ligjor, qoftë kuadrin e reformës në drejtësi qoftë në atë të dekriminalizimit për t’i dhënë përgjigjen e duhur shqetësimeve të opozitës nëpërmjet organeve të SPAK dhe BKH si organe të specializuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar ne radhët e zyrtarëve të lartë publik. Nisma në vetë vetë thotë Venecia bie ndesh me nenin 3 të protokollit të parë të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që garanton të drejtën e zgjedhjeve të lira, bie ndesh me nenin 25 për paktin për të drejta civile dhe politikë që garanton të drejtën për të garantuar shërbimin public, bie ndesh me nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që garanton të drejtën për një process të rregullt ligjor, nuk ofron siguri ligjore, është jo propocionale, i mungon mekanizmi i zbatimit dhe ekziston mundësia e keqpërdorimit politik në dëm të kundërshtarit politikë”.

Pra çfarë thotë Venecia, shton ai duke vijuar se “ekziston mundësia që nisma në përmjet përdorimit vend e pa vend të fjalës kontakt dhe të shmangies së gjykatave të vendit apo organeve të pavarura që garantojnë standardet për një proces të rregullt ligjor të kthehet në gjueti shtrigash ndaj kundërshtarit, duke e bërë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira në një sistem demokratik”.

“Për të gjitha këto arsye por edhe me ato që kanë të bëjnë me kufizimin e të drejtës për t’u zgjedhur dhe afruar në shërbimin publik, nisma e opozitës vë në diskutim efektivitetin e ushtrimit të këtyre të drejtave duke i pamundësuar sovranit për të zgjedhur me votën e lirë”, tha Manja.

Manja hodhi poshtë gjykimin e opozitë për analogji si për prokurorët dhe gjyqtarë ashtu dhe politikanët

“Opozita thotë se modeli i vetingu-t të prokurorëve dhe gjyqtarëve mund të zbatohet me analogji me sukses edhe për politikanët dhe zyrtarët e lartë publik përmes një procesi hetimi administrative dhe jo penal. Mjafton, thotë opozita që “xhaketën” e gjyqtarëve dhe prokurorëve tu a veshim politikanëve. Por, Venecia thotë qartë, e njëjta “xhaketë” nuk mund tu vishet dy pushteteve të ndara, ku vlejnë rregulla loje krejt të ndryshme. Ku njëri pushtet i nënshtrohet ligjit të dekriminalizimit, të verifikimit të pasurisë, votës së popullit dhe përkohshmërisë sepse deputetët zgjidhen çdo 4 vjet, ndërsa pushteti gjyqësor zgjidhen dhe emërohen me mandate të përhershëm dhe vettingu i tyre është i përkohshëm dhe ligjvënësi këtë proces e ka futur  në trungun e kushtetutës, duke i dhënë garancitë e duhura kushtetuese”, argumentoi deputeti i PS-së.

Argumenti shkon me tej, ku Manja shton se “Opozita kërkon të godas kushtetutën që në pikën 1 të saj, pika tre e nenit 1 ku garantohet e drejta e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Kapja past e nenit 17 të kushtetutës që parashikon mundësin e kufizimit të drejtës së shtetasve në rrethana të caktuara kur ka të bëjë me mbrojtjen e një interesi të madh public, duke kufizuar në mënyrë jo propocionale këto të drejta, duke i shkallmuar ato siç është rasti i propozimit të opozitës.

Në fund, Manja i jep përgjigje opozitës duke pohuar se SPAK dhe BKH janë zgjidhja për vetingun në politikë.

“Do vetting të politikës opozita, përgjigjja është e  qartë, SPAK dhe BKH për t’i bërë “qilizëm” penal dhe pasuror politikanëve dhe zyrtarëve të këtij vendi pa dallim krahu politik, jo veting me komisione Ad-hoc”, theksoi ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.