Fluksi i festave, policia shton kontrollet, penalizohen 67 drejtues mjetesh

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/ – Policia Rrugore e Tiranës duke parë shtimin e numrit të këmbësorëve dhe mjeteve, në rrugët e kryeqytetit dhe sheshet kryesore ku janë përqendruar zonat festive, por edhe rrezikun që u kanoset këmbësorëve në vendkalimet e tyre dhe jo vetëm, ka shtuar ndjeshëm patrullat të cilat monitorojnë dhe dokumentojnë kryesisht shkeljet që janë burim i shtuar për aksidente rrugore, siç janë edhe mosdhënia e përparësitë ndaj këmbësorëve në vendkalimet e tyre.

Nga kontrollet policore në formën e patrullimit dhe monitorimit në disa segmente rrugore të cilat nga analizat e aksidenteve janë evidentuar si “njolla të zeza” për shkak të rrezikshmërisë dhe pasojave që kanë sjellë here pas here këto ngjarje rrugore, janë evidentuar dhe proceduar 67 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve, si dhe janë këshilluar shumë këmbësor që të përdorim vendkalimet e përcaktuara, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar kur kapërcejnë rrugën, veçanërisht natën. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.