Shehu: Buxheti duhet rishikuar, kthimi nga Presidenti – ngjarje serioze

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH – I. Vata/ – Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu u shpreh sot në Kuvend se nuk ka ndodhur asnjëherë që Presidenti të kthejë me dekret Buxhetin e Shtetit, prandaj duhet rishikuar nga e para.

Deputeti Shehu e konsideron dekretin e Presidentit për kthimin e Buxhetit në Kuvend, si të drejtë dhe njëherazi, si diçka të jashtëzakonshme dhe sipas tij, kërkon debat dhe konsultime të thella.

“Kjo do të kërkojë diskutime të thella, debate, konsultime për të rishikuar nga e para Buxhetin, ndoshta dhe dorëheqje të qeverisë, sepse të kthehet Buxheti është për një demokraci parlamentare ngjarja më serioze në ngarkim të qeverisjes. Kjo sepse vendimi i Presidentit është i motivuar, racional, është i drejtë dhe duhet respektuar”, – tha ai.

Më tej Shehu shtoi se “ju vazhdoni me arrogancë, me hermetizëm komunist, ju nuk pranoni asgjë. Ju vazhdoni të fshiheni pas gishtit, ajo kohë ka kaluar, nuk ju beson askush. Nuk ju besojnë studentët që janë në rrugë, nuk ju besojnë infermierët, mjekët, pensionistët, nuk ju besojnë as të sapolindurit, që nuk kanë inkubatorë. Nuk ju beson askush në Shqipëri dhe ju ende kërkoni dialog me studentët. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.