Rruga e re Cërrik-Urë Vajgurore, zhvillim turizmit në zonë

 

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/- Rruga e re Cërrik-Urë Vajgurore kontribuon në zhvillimin e agroturizmit dhe bujqësisë, duke qenë se kjo zonë ka një potencial të madh në këtë sektor.
Rikonstruksioni i këtij aksi nga një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 892 milionë lekë dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, shkurton në 2 orë kohën e udhëtimit drejt Tiranës.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga rruga e transformuar Cërrik-Urë Vajgurore.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të rrugës së re Cërrik-Urë Vajgurore që ka sjellë një zhvillim fantastik të turizmit në zonë, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Rruga u shtrua me asfalt, janë vendosur barrierat mbrojtëse, po ashtu është pajisur me sinjalistikë vertikale dhe horizontale.

Ky segment rrugor i afron më shumë këto qytete me kryeqytetin.

Fermerët e këtyre zonave tashmë kanë mundësi t’i tregtojnë produktet e tyre në tregjet e qendrave të mëdha të banuara.

Përfitues të drejtpërdrejtë të këtij projekti janë rreth 200 mijë banorë. Me ndërtimin e kësaj rruge krijohet hapësirë të re ekonomike mes fshatrave të Dumresë dhe Kuçovës në drejtim të Beratit dhe Tiranës. Rruga garanton dhe një lehtësim shumë të ndjeshëm për të gjithë fermerët e zonës dhe për qarkullimin e gjithë prodhimeve që ka qenë një problem shumë i madh në atë zonë, pasi rruga ishte një shteg i pakalueshëm./k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.