Rama: Opozita në Kuvend me mandate të pjekura, por jo të djegura

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama theksoi sot në Kuvend se “bujarisht grupi më ka dhënë 40 minuta për të folur, por unë zoti kryetar minutat e mia në këtë foltore do t’ia fal liderit të opozitës, i kthyer këtu me mandate të pjekura, por jo të djegura”.

“Sot më shumë se asnjëherë askush më kollaj se vetë Lulzimi nuk mund t’i tregojë shqiptarëve pse zgjidhja e tyre e vetme është dhe do të jetë kjo shumicë qeverisëse”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “unë vetë do të shkoj të vazhdoj dialogun e vështirë me studentët”.

Më pas seanca u ndërpre për shkak të incidentit të krijuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa, i cili tentoi të godasë Kryeministrin Rama.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi thirri mbledhjen e menjëhershme të Byrosë së Kuvendit, ku do të kërkojë përjashtimin me 10 ditë nga seancat të deputetit Hasa.

Po ashtu kryeparlamentari Ruçi ndërpreu me një orë seancën plenare. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.