Rama: Dialog jo me opozitën, por me studentët pasi e shohin shumicën qeverisëse, si zgjidhjen e tyre të vetme

 

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “opozita e bllokoi diskutimin që e kërkoi vetë duke e kthyer seancën në një konflikt rruge”.

“Sot u mblodh parlamenti për të diskutuar për studentët me kërkesë të opozitës me demek në emër të studentëve. Ndërkohë që jashtë parlamentit ishin mbledhur copat dhe çikat e revolucionit imagjinar të këtij dhjetori”, tha Rama në rubrikën “Fjala ime” duke publikuar edhe fjalimin e plotë që do të mbante në seancën e sotme plenare, e ndërprerë pas incidentit të shkaktuar nga opozita.

Kreu i qeverisë u shpreh se “një trim kotecesh u vërsul drejt foltores me vezët e nxjerra nga xhupi i liderit të Partisë Demokratike sapo nisi debati me fjalën time dhe aty mbaroi edhe debati. Opozita e bllokoi diskutimin që e kërkoi vetë duke e kthyer seancën në një konflikt rruge. Bujarisht më janë dhënë 40 minuta për të bujarisht grupi më ka dhënë 40 minuta për të folur, por unë zoti kryetar minutat e mia në këtë foltore do t’ia fal liderit të opozitës të kthyer këtu me mandate të pjekura, por jo të djegura”.

Sot më shumë se asnjëherë, askush më kollaj se vetë Lulzimi, vijoi Rama, nuk mund t’i tregojë shqiptarëve pse zgjedhja e tyre e vetme është dhe do të jetë, kjo shumicë qeverisëse.

Më tej, kryeministri shtoi se “ndërsa unë vetë do të shkoj të vazhdoj Dialogun e vështirë me studentët, pasi ata më shohin mua e këtë shumicë qeverisëse, si zgjidhjen e tyre të vetme, kurse unë e shoh këtë moment proteste të tyre, si pikënisjen e një kapitulli të ri të qeverisjes sonë”.

“Ky parlament s’ka nevojë për mua, ndërsa studentët po. Por edhe unë sot kam nevojë të dëgjoj studentët që ndjehen të papërfaqësuar, jo opozitën e Lulzimit, që përfundimisht as nuk e di, po as ka për ta mësuar kurrë, dallimin mes mandatit të përfaqësimit dhe mandatit të arkëtimit”, tha Rama.

“Mirëse u ktheve shëndoshë e mirë i dashur Luli, se megjithë atë mllef që kishin për ty protestuesit ta kam pasur vërtet merakun- sidomos pas gjumit tënd të drekës, kur niseshe për në takim me djalin e Fariut dhe Shqiponjës, e largqoftë mahmur mund të të çonin këmbët te sheshi i Republikës së Re. Po shyqyr thuaj vëlla, që studentët e kishin keq fare edhe motrën opozitare. Kështu që ata s’dinin kë “të kapnin për zhelesh” të parin, siç do të thoshte e dashtuna jote Jozefinë, ndërsa ju i fshehët nëpër turmë ato dy çika parti që ju kanë mbetur dhe ja ku jeni, të dy, shëndoshë si molla. Hajde tani, merre fjalën time e tregojua vetë shqiptarëve, se sa i panevojshëm je për ta që përveçse mos të të votojnë, mos të të kenë as inat kot, për gjera që ti jo nuk i bën dot apo s’i kupton dot, po mbi të gjitha nuk të interesojnë. E ndërkohë që lideri i opozitës po vjen të marrë fjalën, pasi për këtë fjalë kaq të rëndësishme sot, sakrifikoi planin e tij strategjik për djegien e mandateve, ju lutem zoti kryetar që nëse ai si zakonisht nuk i konsumon dot të gjitha minutat se i mbaron kaseta t’ia kaloni mbetjen kohore Doktoreshës së Shkencave Ekonomike zonjës Monika Kryemadhi”, tha ai.

Në përfundim, Rama tha se “jam i sigurt se shumica në këtë sallë, e ndan me mua bindjen që Doktoresha, do ta shfrytëzojë çdo minutë për t’u ndriçuar rrugën studentëve që s’e shohin dot me sy (atë jo rrugën), me të gjithë shpirtmadhësinë e saj gati fetare dhe fuqinë e përgjegjshmërisë së lartë shkencore që e karakterizon, jo vetëm sa herë hap gojë, po sidomos kur harron ta mbyllë atë. Suksese të dyve!”.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.