Pakti për Universitetin, paketë angazhimesh konkrete me afate kohore

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Pakti për Universitetin do të jetë një dokument angazhimesh konkrete me afate kohore, që do të përfshijë jo vetëm përgjigjen për 8 kërkesat e studentëve, por edhe nevojat e universitetit në tërësi.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Universitetin Politeknik me studentë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, ku diskutoi për 8 pikat e protestës studentore dhe Paktin për Universitetin mes qeverisë e studentëve.

Pasi dëgjoi një student që parashtroi nevojat që ka Fakulteti i Arkitekturës, Kryeministri ftoi studentët që të njihen me draftin e punës të qeverisë mbi 8 kërkesat e tyre, i publikuar tek adresa shqiperiaqeduam.al.

Në të njëjtën platformë, studentët sipas tij, mund të shkruajnë kërkesat specifike të fakultetit të tyre dhe shumë shpejt do të kenë një përgjigje me një afat të caktuar kohor, se kur mund të plotësohen këto kërkesa.

“Sot që flasim, ne kemi qysh prej ditës kur u shfaqen këto pika, grupet e punës që merren në qeveri me hartimin e draftit. Aktualisht drafti nuk është i përfunduar por ai përditësohet  në vijim paralelisht me 8 pikat”, – tha Rama.

Inventari i nevojave të çdo fakulteti, sipas Ramës, do të jetë në këtë faqe dhe po aty do të projektohet edhe një kalendar pune për t’i adresuar këto nevoja.

“Konkretisht një nga punët që po bëjmë është se ministritë që mbulojnë disa fusha të caktuara do të marrin edhe një kujdestari të veçantë për universitetet që kanë në fushën e tyre. Ne do të vendosim disa buxhete modeste të ministrive për universitetin, pasi ministritë porosisin studime, konsulenca apo supervizione të caktuara. Por, ju jeni inxhinierë dhe arkitektë dhe ju e dini shumë mirë që nga ideja tek realizimi i grataçelës, ku mund të marrësh çelësat e të banosh është një rrugë pak e gjatë. Edhe realizimi i këtyre kërkesave kërkon kohën e vetë”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.