NJU JORK – PAM-i ndërpret ndihmën për Gazën për mungesë fondesh

TEL AVIV, 20 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (PAM) njoftoi ndërprerjen e ndërhyrjeve të saj në Bregun Perëndimor dhe në Gaza për shkak të mungesës serioze të fondeve.

‘’Nga 1 janari i vitit 2019 do të pezullohet ndihma për 27 mijë njerëz në Bregun Perëndimor ndërsa për 165 mijë të tjerë në Gaza do të reduktohet me 20%’’, tha Stephen Kearney, drejtor rajonal i programit, në një deklaratë në faqen e internetit të organizatës.

Agjencia tha se ishte e shqetësuar se shkurtimet “mund të kenë efekte shkatërruese në sigurinë e ushqimit, standardin e jetesës dhe mirëqenien e njerëzve që asistohen në Palestinë”.

Për të vazhduar angazhimin aktual në 2019, PAM-i tha se nevojiten 57 milionë dollarë (pothuajse 50 milionë euro) dhe prandaj ai ftoi “bashkësinë ndërkombëtare të donatorëve për të forcuar angazhimin e saj dhe për të ndihmuar në parandalimin e shkurtimeve të mëtejshme”./  /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.