Nikolla-opozitës: Krijuat kioska universitare, reforma jonë sistemike

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/- Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve Lindita Nikolla theksoi në Kuvend se koha do të flasë për rezultatet e reformës së ndërmarrë në arsim nga kjo mazhorancë.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të së enjtes, Nikolla theksoi se, ishte kjo opozitë që e la sistemin arsimor në rënie të lirë, ndërsa ne, tha ajo, “kemi ndërmarrë reformë në çdo aspekt. Më thoni një reformë modernizuese të sistemit arsimor në kohën tuaj? Ju jeni ata që krijuat kioska universitete”.

Nikolla solli në vëmendje të deputetëve se në këto pesë vite janë ndërmarrë reforma sistemike nga kopshtet deri në universitete.

“Buxheti për Arsimin e Lartë është rritur me 42%, në krahasim me kohën tuaj. Studentët protestojnë me të drejtë, ata kanë nevojë për më shumë cilësi, por kërkesat e tyre as që krahasohen më ato të para pesë viteve”, – theksoi ajo.

“Unë i kam përjetuar me shumë përgjegjësi kërkesat e tyre, – tha ministrja, – dhe ndryshe nga paraardhësit e mi nuk kam marrë vendime nën presion, madje dhe shumë të vështira por kam bërë gjithçka që të gjithë aktorët e sistemit tonë arsimor të kenë të gjithë hapësirën për të bërë rolin e tyre sipas raportit të përgjegjësive. Por koha do të tregojë edhe për këtë”.

Ajo solli në vëmendje dështimin spektakolar për akreditimin e universiteteve në Shqipëri. “Ndërsa sot, koha po flet dhe do të flasë për rezultatet tona pozitive në arsim”, – tha Nikolla. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.