Mesi: Strategji më afatgjatë për reformimin total të sistemit universitar

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – “Pas dy vite e gjysëm nga implementimi i Ligjit për Arsimin e Lartë ne duhet të rishikojmë problematikat që janë identifikuar në ligj, që të marrin zgjidhje kërkesat imediate të studentëve dhe të krijohet një strategji më afatgjatë që të reformohet totalisht sistemi arsimor universitar”, – tha sot zëvendëskryeministrja Senida Mesi.

E ftuar në emisionin në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, zv/kryeministrja Mesi duke folur për protestën e studentëve theksoi se jemi përpjekur që në ditët e hershme të kërkojmë dialogun me studentët. “Në fund të ditës studentët janë aty pasi kërkojnë disa të drejta legjitime të tyre, kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet”, – tha ajo.

“Jemi shprehur që në momentin e parë që zëri i tyre u dëgjua, jo vetëm thjesht nga verifikimi i fakteve që ata kanë adresuar, por edhe nga një analizë e jona e brendshme”, – tha Mesi.

Ajo ritheksoi se nën lidershipin e Kryeministrit ne kemi krijuar një grup pune i përbërë nga një pjesë e ministrave në kabinet dhe deputetëve që kanë eksperiencë dhe në mësimdhënie që kanë qenë apo janë pedagogë të nderuar dhe e njohin pjesën e sistemit arsimor të arsimit të lartë në detaje për të ofruar dhe gjetur zgjidhje të problematikave.

Zv/ministrja Mesi shtoi se këtu nuk bëhet fjalë për 8 kërkesat, që janë kërkesa që tashmë dihen të studentëve në Tiranë, por në qarqe të veçanta. Unë dje isha në Shkodër dhe kërkesat e këtyre studentëve ato që janë dorëzuar formalisht tek rektorati janë totalisht të ndryshme nga kërkesat që janë bërë tashmë publike. Në Gjirokastër, në Korçë, në Vlorë Durrës studentët kanë kërkesa shumë specifike.

Prandaj, vijoi ajo, është shumë e rëndësishme kur ne themi dialogu, pasi janë dy palë që duket sikur janë në dy anë të ndryshme, njëri që kërkon dhe tjetri që dëgjon dhe do të ofrojë zgjidhje.

Sipas saj, në momentin që këto dy palë nuk ulen për të diskutuar me njëri-tjetrin gjithmonë ka hapësirë për keqkuptim.

Zv/kryeministrja Mesi u shpreh se “gjërat nuk janë aq të thjeshta, për mua është maja e ajsbergut me disa problematika të thella për të plotësuar këto 8 apo 20 kërkesa, që dalin nga kjo protestë duhet të bëhen ndryshimet ligjore, aktet normative dhe të rishikohen proceset dhe procedurat”.

“Mos të harrojmë që është edhe një palë tjetër që është universiteti bordi akademik, bordi i administrimit, administratori senati dhe rektorati që me ligjin e ri kanë edhe ato pavarësinë dhe vendimmarrjen e tyre. Si rezultat një pjesë e këtyre kërkesave është në përgjegjësi direkte për t’u zbatuar nga qeveria përfshirë edhe ndryshimet e duhura ligjore dhe nga ana tjetër proceset e brendshme ligjore për të rregulluar, për ti dhënë më tepër kompetenca apo informacion apo transparencë jo më të zgjeruar, por transparencë totale për pjesën e buxhetit, shpenzimeve e kështu me radhë dhe përfshirë këtu edhe të ardhurat që i takon pjesës së universitetit”, – nënvizoi Mesi.

Zv/kryeministrja Mesi tha se “janë tre aktorë që duhet të ulen për të dhënë zgjidhjen maksimale. Çfarëdo lloj zgjidhje që të ofrojë qeveria studentët do të thonë që nuk ishin këto ato që kërkuam”.

E pyetur nëse politika ka qëndruar larg protestës e studentëve Mesi tha se “në ditët e para protesta ka qenë e pastër dhe legjitime me një sinqeritet në dukje dhe masive nga studentët. Më pas partitë politike kanë influencuar”.

Sipas saj, ndërhyrja e politikës ka sfumuar edhe kauzën e vërtetë të studentëve.

“Ne si qeveri nuk e duam një gjë të tillë. Kjo protestë ka hapur edhe sytë tanë për të evidentuar problematikat që ne nuk i dinim”, tha Mesi. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.