Largimi i ambasadorit iranian, Lleshaj: Shqipëria sot, më e sigurt se dje…

– Policia e Shtetit hap dyert për specialistët –

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, gjatë një interviste në një studio televizive ka sjellë në vëmendje se Irani është një nga vendet kryesore të financimit të terrorizimit dhe dëbimi i ambasadorit iranian të akredituar në Tiranë u përshëndet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Lleshajt, “Shqipëria sot është më e sigurt se dje”.

“Përkujdesja ndaj sigurisë na bën që të jemi të kujdesshëm për detajet. Irani njihet si një ndër financuesit e terrorizmit në botë. Ne bëjmë maksimumin për parandalimin e ngjarjeve. Dëbimi i ambasadorit të Iranit, u përgëzua nga SHBA. Ju e dini se ne kemi marrë përsipër që të strehojmë në Shqipëri një numër të madh iranianësh, meqë Iraku ishte në luftë. Strehimi i MEK në Shqipëri ka bërë që në Tiranë të transferohet përplasja mes rezistencës dhe qeverisë së Iranit. Me këtë vendim, Shqipëria është më e sigurt se dje. MEK janë pranuar për arsye humanitare, qeveria jonë nuk ka asnjë axhendë politike me ta, janë pranuar dhe në sajë të një tradite humanitare që ka populli shqiptar. Anëtarët e MEK nuk janë kërcënim për ne”.

Lleshaj: Ligji i ndryshuar për Policinë, rrit specialitetet brenda Policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, gjatë një interviste në një studio televizive ka theksuar se ligji i propozuar nga Ministria e Brendshme për disa ndryshime të ligjit për “Policinë e Shtetit” tha se ka si qëllim për të mbuluar boshllëqet brenda trupës së Policisë së Shtetit duke rritur dhe specialitete brenda trupës policore.

“Nuk bëhet fjalë për militarizim të Policisë, por për të plotësuar boshllëqet brenda trupës policore me specialistë që sot nuk janë. Ne duam të hapim dyert e Policisë për specialistët”. “Ne kemi një situatë të trashëguar në Policinë e Shtetit ku rezulton një numër i madh mungesash. Duke qenë se Akademia e Sigurisë nuk ka funksionuar prej shumë vitesh, ka pasur këto mungesa të mëdha, prandaj ne duam të hapim dyert e Policisë për ata që mbarojnë universitetet. Dje kemi pasur një polici hermetike që duhej të futeshe duke bërë punën si karrierë policie, akademinë e rendit, apo sigurisë… etj. Kjo ka krijuar këto probleme të mëdha. Për t’i mbushur këto boshllëqe, që normalisht do të duhet të prisnim pesë vite, ne kemi gjetur këtë zgjidhje. Prandaj ka dy rrugë, ose do presim pesë vite, sa të dalin këta efektivë nga Akademia, ose do gjejmë një kanal tjetër ku mund t’i rekrutojmë këta punonjës të policisë. Ne duam të marrim të rinjtë ekselentë, të rinjtë shumë të mirë, të bëjnë një kurs përkatës për oficerë policie dhe të marrin dhe të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit”, – tha Lleshaj.

“Ne kemi një strukturë dhe një forcë policore të vogël, ndër më të voglat krahasuar me vendet e rajonit dhe të Europës. Shqipëria është një vend që ka shumë probleme, por dhe pak policë. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka vetëm 334 policë për 100 mijë banorë. Ndërkohë që, po jap ca shifra, Kroacia ka 489 policë për 100 mijë banorë, Serbia ka 596, Mali i Zi 645, Sllovakia 409 e të tjera me radhë. Janë shumë shifra, por duhet të them që jemi një ndër vendet me numrin më të vogël të policëve për frymë të popullsisë, ndërkohë që kemi një numër relativisht të lartë të problemeve për frymë të popullsisë. Vetëm Vendet Skandinave kanë të njëjtin numër policie si ne për frymë, ndoshta dhe më të vogël, por s’kanë probleme”, – tha Lleshaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.