Guvernatori Sejko: Media, kontribut në vendimmarrjen tonë

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/-“Vendimmarrja jonë nuk mund të konsiderohet e plotë, pa kontributin tuaj”,- u tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gazetarëve, analistëve dhe drejtuesve të medias, të pranishëm në takimin që zhvilloi sot në Tiranë, me rastin e Fundvitit, ndërsa vlerësoi gatishmërinë, objektivitetin, dhe seriozitetin e medias në mbulimin dhe transmetimin në publik të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë përgjatë gjithë vitit 2018.

“Falë jush, analiza dhe vendimmarrja jonë është përcjellë në mënyrë më të plotë anë e mbanë e vendit, e përshtatur dhe e stilizuar për çdo moshë dhe profesion”, – tha Sejko.

Guvernatori u shpreh se, përveç shkallës së lartë të mbulimit gjeografik, komentet dhe analizat që media iu bën zhvillimeve ekonomiko financiare në vend, janë mjaft profesionale. “Si unë ashtu dhe kolegët e mi në Bankën e Shqipërisë kemi arritur në konkluzionin se sot realiteti mediatik, është pjesë e rëndësishme e veprimtarisë sonë”, – tha ai.

“Komunikimi për një bankë qendrore konsiderohet një proces sa jetik aq dhe delikat, ndaj më duhet të theksoj se materializimi i vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar, pa ndihmën dhe objektivitetin tuaj do të ishte një mision i pamundur”, – theksoi Sejko.

Ai garantoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion i hapur dhe shumë luajal në marrëdhëniet me medien. “Tek Banka e Shqipërisë do të gjeni në vazhdimësi një dritare të hapur komunikimi për gjithë spektrin e lajmit ekonomik dhe financiar, bashkëkohor, profesional dhe të paanshëm”, – tha Guvernatori. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.