FOTO/ Fier, 590 nxënës ekselentë morën dhuratat e Fundvitit

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – Në një festë të vërtetë është përcjellë ceremonia e vlerësimit për nxënësit e dalluar të ciklit 9-vjeçar. Edhe këtë vit, bashkia Fier nuk ka lënë pa vlerësuar përpjekjen e nxënësve për të arritur rezultate të shkëlqyera në mësime, nga shkollat publike dhe jopublike në të gjithë territorin e saj.

Në këtë veprimtari, nëpërmjet një klipi janë prezantuar edhe arritjet e deritanishme, ajo çfarë është bërë për transformimin e mjediseve shkollore, sa është investuar për rikonstruksionin e godinave dhe vëmendja që ka marrë arsimi nga ky institucion.

Në fjalën e tij, kreu i bashkisë, Armando Subashi përvec urimeve dhe mirënjohjes për të gjithë nxënësit dhe mësuesit ka vënë theksin se bashkia Fier do të vazhdojë punën për rehabilitimin e të gjitha godinave arsimore, deri në arritjen e standardit që dëshirojmë. Në mënyrë simbolike dhe rastësore ka shpërndarë dhe dhuratat e para.

590 nxënës kanë përfituar këtë vit dhuratë fundviti nga bashkia Fier, me urimin për një vit më të mbarë e të begatë, me më shumë përkushtim e angazhim, që edhe vitin tjetër të ulen sërish në radhët e nxënësve më të mirë. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.