FOTO/ Berat, fëmijët e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” koncert festiv

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/- Në një atmosferë festive me këngë dhe valle fëmijët e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat me rastin e festave të fundvitit, organizuan koncertin festiv “Gëzuar 2019!”

Në një dekor mjaft festiv, stafi organizator i QKF-së kishte përgatitur një program mjaft të pasur me këngë, valle, recitime, i cili kulmoi me babagjyshët, të cilët simbolikisht ia lanë vendin njëri-tjetrit, duke përcjellë ndërkohë urime dhe mesazhe paqeje, mirësie e dashurie, për një vit të mbarë e të suksesshëm për të gjithë, veçanërisht për fëmijët që i përjetojnë me emocion të veçantë këto festa.

Koncertin e përshëndeti edhe kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, i cili shprehu kënaqësinë e tij që merrte pjesë në koncertin e mrekullueshëm të fëmijëve të QKF-së, duke falënderuar, së pari, organizatorët që kishin përgatitur një aktivitet mjaft festiv, por edhe të gjithë ata që kanë punuar për ta bërë qytetin më të mirë se një vit më parë, donatorët që kanë kontribuar për të pasur çerdhe më të mira, kopshte dhe shkolla më të mira dhe për secilin që punon çdo ditë për të pasur një qytet më të mirë se dje.

Kryebashkiaku Sinaj theksoi se jo çdo gjë është bërë ashtu siç do të donin ata, andaj uroi që viti 2019 të sjellë suksese, shëndet, begati e lumturi jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë komunitetin beratas.

Spektatorët e shumtë duartrokitën dhe përcollën me emocione të forta interpretimet e fëmijëve të QKF-së, të cilët krijuan një atmosferë vërtet festive këtë fundviti. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.