Duka: Bashkëpunim më i madh ndërmjet aktorëve të futbollit në 2019-ën

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – Federata Shqiptare e Futbollit synon një bashkëpunim më të madh ndërmjet aktorëve të futbollit në vitin e ardhshëm për të arritur suksese të mëdha për futbollin shqiptar.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF me rastin e festave të fundvitit, vlerësoi arritjet e këtij viti dhe bëri publik objektivat ambiciozë për vitin e ardhshëm.

Mbrëmja filloi me tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë” e interpretuar nga soprano Erinda Agolli. Nën moderimin e Kastriot Çaushit dhe Kristina Agos të ftuarit e mbrëmjes ndoqën një përmbledhje të sukseseve të futbollit shqiptar për vitin 2018.

Nga sot futbolli shqiptar do të ketë një Ambasadore për futbollin e femrave, dhe ajo do të jetë Valbona Selimllari. Ky titull nderi ju dorëzua mbrëmjen e sotme zonjës Selimllari nga presidenti FSHF-së Armand Duka.

Në fjalën e saj Miss Shqipëria 1992 shprehu kënaqësinë për këtë titull dhe detyrë që i është ngarkuar, duke shpresuar se me ndihmën dhe energjinë e duhur futbolli i femrave do të vazhdojë rrugën e rritjes.

“Nëse do të kisha lindur djalë sot do të isha një ndër futbollistët më të mirë. Kur kam qenë e vogël kam luajtur futboll dhe luaja aq mirë sa djemtë komshi që luanim së bashku ma vendosë emrin Bobby Charlton, kjo sepse mësoja shumë djem sesi të luanin futboll. Por sot është shumë vonë për të luajtur futboll, nuk mund ti zë vendin vajzave të reja që luajnë futboll në Shqipëri. Por duhet të them se jam shumë e lumtur që mund ti përfaqësoj ato. Le të shikojmë përpara, të shikojmë sesa do të na bëjnë krenare këto vajza të reja, ashtu siç na kanë bërë krenar djemtë tanë në ekipin Kombëtar”, theksoi Selimllari.

Më tej ceremonia vazhdoi me dorëzimin e disa çmimeve për figura të rëndësishme të futbollit shqiptar. Me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar’ u dekoruan Qamil Teliti (pas vdekjes), Perlat Musta dhe Edvin Murati. Me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” u dekoruan Genc Tomorri, Osman Mema dhe Agim Canaj. Me titullin “Pllakatë” janë vlerësuar 5 personalitete të futbollit shqiptar si: Ferit Borshi, Kastriot Hysi, Ardian Popa, Dashnor Bita e Vladimir Skuro.

Trajnerët dhe kapitenët e Kategorisë Superiore kanë votuar edhe për çmimin Lojtari më i mirë për vitin 2018, çmim i cili shkoi për lojtarin e “Partizanit”, Lorenc Trashi. Lojtarja më e mirë e vitit 2018 u zgjodh lojtarja e “Vllaznisë” dhe ekipit Kombëtar Megi Doçi. Titulli i arbitrit më të mirë për vitin 2018 shkoi për Enea Jorgjin.

Të ftuar ishin personalitete të botës së futbollit, përfaqësues të medieve, sponsorë dhe kontributorët ndër vite në futbollin shqiptar.

Mbrëmja gala u shoqërua me disa performanca të shkëlqyera nga artistët më të mirë të skenës shqiptare.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.