Basha: Të dyfishohet buxheti për Arsimin e Lartë

TIRANË,20 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Buxheti për Arsimin e Lartë duhet të dyfishohet, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke shtuar se Partia Demokratike ka propozimin për zgjidhjen e saj.

Kryetari i Partisë PD-së, Basha u shpreh se për një student për tre vite studimi dhe dy vite master çdo familje duhet të paguajë 15 milionë lekë të vjetra, ose duhet të kursejë 875 mijë lekë në vit, më shumë se katër paga mujore, apo të kursejë 72 mijë lekë të vjetra në muaj, pra 35% të pagës mujore.

Në fjalën e tij në Kuvend, Basha prezantoi situatën e papërballueshme nga familjet shqiptare për studimet e larta të fëmijëve të tyre.

“Të çosh sot një fëmijë në universitet është një sakrificë financiare e papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare, ndërsa për ata që duan të çojnë më shumë se dy fëmijë, fatura bëhet totalisht e papërballueshme”, – tha ai.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se Partia Demokratike ka zgjidhjen e kësaj situate shkaktuar nga Ligji për Arsimin e Lartë.

“Propozimet e Partisë Demokratike për zgjidhjen e kësaj krize, shkaktuar nga ligji korruptiv i Arsimit të Lartë janë të qarta, dyfishimi i buxhetit për Arsimin e Lartë nga 74 milionë dollarë, në 150 milionë dollarë. Propozimi ynë është që ky dyfishim të përdoret në dy mënyra. Së pari, fasha e studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj të përfitojnë subvencion të plotë të tarifës nga buxheti i dyfishuar. Kjo, do të ketë vlerë për 112 mijë studentë të cilat sipas projeksionit dhe INSTAT, i përkasin familjeve me të ardhura minimale prej 640 mijë lekë në muaj, të përllogaritura sipas minimumit jetik, shumëzuar me katër anëtarë familje. Efekti buxhetore do të jetë 36 milionë dollarë”, – tha Basha.

Në vijim, lideri i opozitës Basha shtoi se “fasha e dytë e studentëve që vijnë nga të ardhura mbi 264 mijë lekë në muaj është afro 10% e numrit të studentëve. Sipas INSTAT, shpenzimet për këto familje janë 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj. Për këtë, fashë propozimi i PD është përgjysmimi i tarifës dhe efekti buxhetor është 2 milionë dollarë. Pra me dyfishimin e buxhetit për Arsimin e Lartë 38 milionë dollarë duhet të kalojnë si transfertë universiteteve publike vetëm për tarifat e studentëve. Mbeten edhe 37 milionë dollarë të tjerë nga të cilat duhet duhet të destinohen 5 milionë të tillë për politikën sociale për familjet që janë shumë poshtë se minimumi prej 640 mijë lekë në muaj”, – tha Basha.

Basha shton se për këto familje është e pamundur të paguajnë 2 milionë lekë në vit (të vjetra) që janë pagesat për konvikte dhe ushqim. 5 milionë dollarë duhen për të prekur këtë numër studentësh. 32 milionë dollarë për politika të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën konviktore, auditoreve, bibliotekat, rritjen e mësimdhënies në tërësi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.