Veseli: Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon nga Beogradi

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mbajti fjalën në konferencë për media për zhvillimet e fundit politike, për vendimet e Kuvendit për Ushtrinë, bisedimet me Serbinë dhe letrën e Presidentit amerikan, Donald Trump.

Veseli tha se Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj Serbisë derisa BE ta trajtojë të barabartë, ndërsa bëri të ditur se reciprociteti do të jetë baza e vendimeve për ecjen përpara.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Europian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë. Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit. Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë. Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë”, tha Veseli ndër të tjera në konferencën me gazetarë. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.