Shqipëri-Mali i Zi, miratohet marrëveshja për menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen kuadër, ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, për marrëdhëniet e ndërsjella në menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare.

Po ashtu në mbledhjen e sotme u miratuan edhe disa ndryshime në vendimin nr. 933, datë 2.7.2008, “Për përfaqësimin e Ministrisë së Brendshme me oficerë kontakti në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Itali, Greqi, Turqi, Kosovë, SHBA, Gjermani, Francë, Europol dhe Interpol”.

Këshilli i Ministrave miratoi sot edhe letërmarrëveshjen ndryshuese nr. 2 të marrëveshjes së grantit nr.TF0A1769, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduara nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI). /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.