SHBA – CPJ: Mbi 50 gazetarë profesionistë të vdekur në 2018

NJU-JORK, 19 dhjetor /ATSH-AFP/ – Pas Reporterëve pa Kufij, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) ngriti gjithashtu sot problemin e kërcënimeve në rritje me të cilat përballen gazetarët kudo në botë, me një gati dyfishim të gazetarëve të vrarë në 2018 për shkak të detyrës së tyre.

Sipas CPJ-së, 53 gazetarë u vranë mes 1 janarit dhe 14 dhjetorit 2018, kundrejt 47 në gjithë vitin 2017. Në këtë total, 34 kanë qenë posaçërisht të shënjestruar, përfshirë edhe gazetarin saudit Jamal Khashoggi, kundrejt vetëm 18 vitin e kaluar.

Në të kundërt, numri i gazetarëve të vrarë në konflikte është në nivelin më të ulët që prej 2011, me 13 të vdekur në 2018, njofton CPJ-ja, që e shpjegon këtë rënie me vështirësinë për të aksesuar konfliktet në Siri dhe Jemen.

Bilanci i CPJ-së, me qendër në Nju-Jork, është më i ulët se sa ai i publikuar të dje në Paris, nga Reporterët pa Kufij (RSF).

RSF-ja numëronte 80 gazetarë të vdekur në 2018, duke përdorur një tjetër metodologji ku përfshihen edhe gazetarët jo profesionist dhe bashkëpunëtorët e medias, jo gazetarë./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.