Kuotat në Universitet të lidhen më shumë me tregun e punës

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama, në një dialog sot me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, u shpreh se duhet që kuotat në Universitet të lidhen më shumë me tregun e punës.

Kryeministri u shpreh se ajo që po korrim sot në arsim është mbjellë 20 vjet më përpara.
“Ajo që po korrni ju sot është një sistem që ka filluar të korrigjohet. Dialogu do të kisha dashur të zhvillohej në mënyrë më tronditëse, por do të ishte e pamundur, sepse shumica do të kishte dalë rrugëve. Duhet të fillojë që kuotat në Universitet të lidhen më shumë me tregun e punës”, – tha Rama.

Duke iu përgjigjur një studenteje të infermierisë, Rama theksoi se, “për punësimin e infermierëve, deri dje duhet të ishte futur në partinë e kujt ka ministrinë, për t’u bërë infermiere. Sot, keni portalin dhe regjistrohesh. Kush e meriton futet në punë nga portali. Kështu që do të konkurrosh dhe nëse je e zonja ka vend për ty”.

“Do të ishte kollaj, nëse ky do të ishte një problem i krijuar tani, sepse do të ishte e lehtë. Ikën qeveria dhe do të vinte Doktoresha e Shkencave, Monika Kryemadhi. Por lavdi Zotit, ju e keni kuptuar që nuk është ky problemi. Natyrisht, kjo qeveri ka kusure që duhen zgjidhur”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se edhe në Gjermani, studenti që mbaron Universitetin nuk gjen menjëherë punë. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.