Investimet në Ballkanin Perëndimor, 1.4 milionë euro në sektorin e ujit

Nënshkruhet marrëveshja e grantit për financimin e studimeve të fizibilitetit për projektet e ujit në shumën e 1.4 milionë eurove
TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ai i  Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, nënshkruan sot në Tiranë, me Drejtorin e Zyrës së KfW-së në Tiranë Björn Thies, marrëveshjen e grantit me vlerë 1.4 milionë euro  për kryerjen e studimeve të fizibilitetit për zbatimin e projekteve në sektorin e ujit.
Këto fonde grant janë dhënë nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF). Fondet do të mundësojnë financime për një paketë studimesh përgatitore për investime për furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të përdorura në kuadër të Programit mbi Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit.
Programi mbi Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë Shqiptare, e mbështetur nga Qeveria Gjermane (e cila ka angazhuar rreth 89 milionë euro për këtë program), Bashkimit Europian (BE) dhe Sekretariatit Zviceran të Shtetit për Marrëdhëniet Ekonomike (SECO) dhe do të zbatohet përmes KfW-së.
Programi ka për qëllim që mekanizmin e investimeve të bazuar mbi performancën, që KfW ka zbatuar tashmë me sukses për Programet e Infrastrukturës Bashkiake I-IV, ta ngrejë në nivel sektorial. Programi do të përmirësojë situatën e furnizimit me ujë dhe kanalizime në 11 qytete të përzgjedhur në gjithë Shqipërinë.
Drejtori i Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Mario Mariani theksoi kontributin që BE ka dhënë për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri përmes këtij granti të WBIF-së si dhe fondeve grant të aprovuara rishtazi për programin ‘BE për një Mjedis më të Pastër – Mbështetje për Trajtimin e Ujërave të Përdorura’ në një shume prej 24 milionë euro.
Në fjalën e tij, Drejtori i Zyrës së KfW-së në Tiranë, Björn Thies nënvizoi faktin që “Së bashku me BE-në dhe SECO-n, KfW-ja, në emër të Qeverisë gjermane, ka një bashkëpunim të gjatë e të qëndrueshëm dhe të suksesshëm me Shqipërinë në sektorin e ujit. Programi i ri do t’a ngrejë këtë bashkëpunim në një nivel të ri duke e mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt standardeve europiane për sektorin”.
BE është donatori më i madh në Shqipëri dhe një nga donatorët kyç për sektorin e ujit me më shumë se 110 milionë euro grante të dhëna në dekadën e fundit, kryesisht nëpërmjet ‘Instrumentit të Paraanëtarësimit (IPA)’. Rreth 80% e këtyre fondeve kanë shkuar për financimin e infrastrukturës së kanalizimeve të ujërave të zeza, me qëllimin e përmirësimit të kushteve sanitare të popullsisë, cilësisë mjedisore të ujërave bregdetare dhe operimit e mirëmbajtjes së qëndrueshme të infrastrukturës.
BE i ka deleguar rreth 30% të granteve të saj KfW dhe ky partneritet i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen me programin e IPA 2018 të aprovuar së fundmi ‘BE për një Mjedis më të Pastër – Mbështetje për Trajtimin e Ujërave të Përdorura’. Mbrojtja e mjedisit dhe sidomos trajtimi i ujërave të përdorura është një nga prioritetet e asistencës së Bashkimit Europian.
KfW është një nga bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjernane si edhe të Landeve Federale të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në mbarë botën. Në Shqipëri, KfW-ja zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme.
Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria gjermane ka angazhuar një shume totale prej mbi një miliard eurosh. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve është një nga sektoret kyç të bashkëpunimit financiar Gjermani-Shqipëri, për të cilin Qeveria gjermane ka angazhuar më shumë se 335 milionë euro që nga viti 1988.
Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor është një skemë financimi, e cila u iniciua në dhjetor të vitit 2009 nga Komisioni Europian (KE) së bashku me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (BZhKiE), Bankën Europiane të Investimeve (BEI), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), donatorë bilateralë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim dhënien e fondeve për projekte investimesh strategjike në vendet përfituese.
Mbështetja e dhenë nga WBIF-ja është e lidhur me proçesin e zgjerimit të BE-së dhe ka për qëllim të rrisë zhvillimin ekonomik e social dhe përshpejtojë progresin drejt pranimit në BE të rajonit përmes një ndërthurjeje të granteve, huave dhe kontributit të vetë përfituesve për zhvillimin e infrastrukturës për sektorët e mjedisit, energjisë, transportit e atij social e dixhital si edhe zhvillimin e sektorit privat. KfW-ja dhe Banka Botërore i janë bashkuar WBIF-së dhe në korrik 2017 KfW-ja u bë një organizatë partnere.
Deri në nëntor 2018, kontributi i donatorëve bilateralë arriti vlerën e 76.67 milionë eurove, duke përfshirë këtu 5.17 milionë euro të transferuara nga Fondi për Ballkanin Perëndimor i BERZH-it që në fillim të WBIF-së. Angazhimet më të mëdha individuale deri më tani janë bërë nga Norvegjia, Suedia, Austria, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia. Franca iu bashkua Kornizës në dhjetor 2016 dhe është bashkëdrejtuese e tanishme e WBIF-së.
Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike është njësia e Qeverisë zvicerane që mbikqyr grantet e dhëna në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe zhvillimit ekonomik. Në 17 vitet e fundit, Zvicra ka dhënë rreth 41 milionë franga zvicerane grante për tre projekte të bashkëfinancuara me KfW-në në sektorin e ujit. /e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.