INSTAT: Rritet volumi shkëmbimeve tregtare me Turqinë

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/- Volumi i shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Turqisë në 11-mujorin e këtij viti 2018, shënoi tregues pozitiv të rritjes, bëri të ditur INSTAT.

Sipas statistikave zyrtare, eksportet e mallrave me Turqinë arritën vlerën e rreth 2 miliardë lekëve. Ndërsa importet gjatë kësaj periudhe shënuan vlerën 48.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me më shumë 2 miliardë lekë në krahasim me një vit më parë ku vlera ishte 46.4 miliardë lekë.

INSTAT bën të ditur se, në muajin nëntor 2018, importet kanë njohur një rritje prej 74 milionë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa eksportet me Turqinë pësuan një rënie prej 57 milionë lekë.

Ndër sektorët që kryesojnë rritjen e volumeve tregtare Shqipëri-Turqi, janë mallrat e grupit, makineri, pajisje, ushqimore, veshje etj. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.