Dialog për të adresuar 8 pikat

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Duke argumentuar se përse nevojitet dialogu me studentët, Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “8 pikat kanë në brendinë e tyre tematika të ndryshme, ndaj dhe duhet dialogu”.

Në një takim me studentë të Universitetit të Vlorës, Kryeministri solli si shembull një nga pikat e parashtruara nga studentët, që vota e tyre të peshojë 50% në zgjedhjen e drejtuesve, rektorë, dekanë e me radhë.

“Po si t’ia bëjmë ne që këtë nuk e ka asnjë vend i botës. Me britma e megafonë do të dalin prapë të bëjmë vendin e vetëm në botë që eksperimenton rrugë të reja? E bëmë njëherë dhe e pamë si përfunduam”, – tha Rama.

Dialogu, sipas Kryeministrit, “duhet për të kuptuar se kjo kërkesë vjen nga një ndjenjë sekëlldie e madhe e studentëve për shkak të shumë gjërave, që nuk shkojnë në drejtimin e universitetit”.

“Por si adresohet kjo? Të bëjmë 50% votën e studentëve, si nuk ka e ka asnjë vend i Europës dhe i botës? Apo kërkesa tjetër, se duam përfaqësi studentësh në bordin e administrimit. Këtë s’e ka asnjë vend në botë”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.