Zgjerim i kategorive të studentëve që do të paguhen 100% nga shteti

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Ndryshimi i tarifave kërkon dialog”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Përgjysmimi i tarifave, sipas Kryeministrit, duhet dialoguar pasi është mënyra se si do të përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë për të ndihmuar arsimin e lartë.

Duke theksuar faktin se aktualisht qeveria paguan mesatarisht 75% të kostos së çdo studenti, Rama tha se “një student paguan mesatarisht 25% të kostos dhe në rastin e Fakultetit të Mjekësisë shkon në 50% të tarifës”.

“Mendoj se ne duhet të dialogojmë se si t’i përdorim taksat e qytetarëve. Unë mendoj se studentë me 9-ta dhe me 10-ta duhet t’i paguajmë të gjithë tarifën 100%. Po ashtu kur merr 8 ose 9, apo kush vjen nga familje në nevojë me ndihmë ekonomike, duhet t’i paguajmë 100%”, – tha Rama.

Rama tha se “sot me 10 absolute ne kemi 100 studentë, ndërsa me 9 dhe 10 kemi rreth 2100 studentë, të cilëve do t’ju paguajmë 100% tarifën dhe madje do t’u japim edhe bursë vjetore”.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, tarifa do të paguhet 100% nga shteti edhe për kategorinë e të verbërve.

Po ashtu ai, theksoi se “në rastin e studentëve me 4 dhe 5 ne do të përgjysmojmë tarifat vitin e parë duke u dhënë një shans që të ndryshojnë, por më pas kjo kategori nuk do të paguhen nga shoqëria. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.