Studimet master, mbështetje studentëve të gatshëm t’u përgjigjen sfidave

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Shëndetësia falas është një parim i arsyeshëm, por ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha falas”, – tha sot Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur kërkesave të një studenteje mbi tarifat e shkollimit në master.

Në një takim me studentë të Universitetit Bujqësor në Tiranë, Rama tha se lidhur me tarifat universitare ne duhet të japim aq sa duhet për të nxitur dhe mbështetur ata që realisht janë të gatshëm t’i përgjigjen sfidave”.

“Në dhjetor ’90 u shemb komunizmi, ndërsa këtu duhet sikur kërkohet komunizëm nga e para”, – tha Rama.

Sipas tij, “shëndetësia falas për njerëzit që kanë nevojë për një kujdes shëndetësor është parim i arsyeshëm, sepse është nevojë për t’u mbrojtur nga një agresion në organizëm, por falas të gjitha është e pamundur”.

Duke u rikthyer te tarifat e arsimit të lartë, Rama tha se “në bachelor ndarja është 75% tarifë nga shteti dhe 25% studenti, ndërsa tek masteri është e kundërta”.

“Kjo nuk ndodh këtu, por në gjithë botën, sepse është një investim i thelluar te vetja”, – tha Rama.

Ndërkohë sa i takon përgjysmimit të tarifave, Kryeministri theksoi se kjo do të realizohet, sepse këtë vit janë kushtet.

“Por nëse ju do ta kishit kërkuar këtë 2 ose 3 vite më parë, ne nuk mund ta bënim dot”, – iu drejtua Rama studentëve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.