Komisioni i Ekonomisë rrëzon dekretin e Presidentit: Kërkesat e studentëve plotësohen pa ndryshuar buxhetin 2019

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/- Komisioni parlamentar i Ekonomisë nuk e miratoi sot dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, për rishikimin e buxhetit të vitit 2019.

Ndërsa opozita vijon bojkotin, me votat e shumicës komisioni rrëzoi dekretin, që pritet të kalojë për miratim në seancën plenare të Kuvendit, ditën e enjte.

Në fjalën e mbajtur në komision, deputetja Evis Kushi deklaroi se kërkesat e studentëve mund të plotësohen pa pasur nevojën e rishikimit të buxhetit të vitit 2019.

“Kërkesat e studentëve mund të plotësohen edhe pa prekur buxhetin e 2019, duke përdorur fondet që qeveria ka adresuar në dispozicion të arsimit”- tha Kushi ndërsa propozoi mosmiratimin e dekretit të kreut të shtetit.

Kreu i shtetit e riktheu për shqyrtim buxhetin 2019, me argumentin se shumica duhet të plotësojë kërkesat e studentëve, të cilët po protestojnë prej 15 ditësh duke kërkuar plotësimin e 8 kërkesave nga qeveria.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi në komision se Presidenti duhet të kërkonte dialog mes studentëve dhe qeverisë dhe jo të kthente buxhetin. Sipas tij, pikat për të cilat qeveria ka dhënë OK, si për tarifat dhe për investimet në konvikte nuk kanë nevojë për rishikim të buxhetit. “Ka para për të adresuar këto dy pika” tha Ahmetaj. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.