KINË – Kremtohet 40-vjetori i Reformës dhe Hapjes

PEKIN, 18 dhjetor/ATSH/- Të martën paradite u zhvillua në Pekin mbledhja e kremtimit të 40-vjetorit të Reformës e Hapjes të Kinës, në të cilën presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm.

Më 18 dhjetor të vitit 1978, në sesionin e 3-të plenar të Komitetit të 13-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, u mor vendimi historik për zbatimin e politikës së Reformës e Hapjes ndaj botës së jashtme.

Pas përpjekjeve 40-vjeçare, Kina është bërë ekonomia e dytë më e madhe në botë, vendi më i madh industrial, vendi me vëllimin më të madh të tregtisë së mallrave dhe vendi me rezervën më të madhe valutore. Ndërkohë, numri i të varfërve në Kinë është pakësuar me 740 milionë veta dhe përqindja e kontributit të Kinës në rritjen e ekonomisë botërore ka qenë mbi 30 % për shumë vjet me radhë.

Në mbledhjen kremtuese, kreu i shtetit i Kinës Xi Jinping vlerësoi lart kontributin e jashtëzakonshëm të udhëheqësve të mëparshëm, si Mao Ce Dun, Ten Hsiao Pin, Jiang Zemin dhe Hu Jintao.

Ai vuri në dukje se Reforma e Hapja e Kinës duhet ta vërë popullin në qendër, të respektojë vullnetin e popullit dhe t’i kushtojë rëndësi përmirësimit të nivelit të jetesës së popullit, me qëllim shtimin e pandërprerë të mirëqenies së njerëzve.

Sipas z. Xi, vendi do të vijojë të ndjekë rrugën e Socializmit me Karakteristika Kineze, duke konsoliduar e zhvilluar në mënyrë të patundur pronësinë shtetërore, të nxitur e përkrahur në mënyrë të patundur zhvillimin e pronësisë joshtetërore.

Në fjalimin e vet të rastit, presidenti kinez Xi Jinping shtoi se zhvillimi i Kinës nuk mund të bëhet pa ndihmesën dhe lulëzimin e vendeve të tjera. Kina do të këmbëngulë te zgjerimi i hapjes dhe do të nxitë pandërprerë ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.

Ai nënvizoi se Kina do të nxisë krijimin e tipit të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare në bazë të parimeve të respektit reciprok, barazisë dhe drejtësisë, të bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, të respektimit të të drejtave të popujve të ndryshëm në zgjedhjen e rrugës së tyre të zhvillimit, duke mos u imponuar të tjerëve mendimin e vet. Kina kundërshton ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe përdorimin e forcës ndaj më të dobtëve.

Kina do të luajë si duhet rolin e saj si një vend i madh i përgjegjshëm, do të përkrahë lulëzimin e vendeve në zhvillim, do të ndërmarrë aktivisht reforma dhe do të nxitë forcimin e qeverisjes globale. Kina do të mbështesë sistemin tregtar shumëpalësh, do të nxisë liberalizimin e tregtisë dhe të investimeve dhe do të krijojë platforma të reja së bashku me palët e ndryshme, me nismën “Një brez, një rrugë” në qendër.

Presidenti Xi Jinping theksoi gjithashtu se Kina nuk do të zhvillohet kurrë në dëm të interesave të vendeve të tjera dhe nuk do të heqë dorë kurrë nga të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme. Kina ndjek një politikë mbrojtjeje me qëllime vetëmbrojtëse dhe zhvillimi i saj nuk përbën kërcënim për asnjë vend. Pavarësisht sa shumë do të zhvillohet Kina, ajo nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni, theksoi kreu i shtetit i Kinës.

Në mbledhje, dhjetë ekspertë të huaj, duke përfshirë kryetarin e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit Klaus Shwab, u dekoruan me Medaljen e Miqësisë për Reformën e Kinës, për kontributin dhe përkushtimin ndaj bashkëpunimit dhe shkëmbimeve midis Kinës dhe botës së jashtme./CRI/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.