Kartë europiane për studentët në 6 muajt e parë të vitit 2019

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ – Të gjithë studentët shqiptarë brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të pajisen me kartën europiane të studentit.

Kështu theksoi sot Kryeministri Edi Rama në një dialog me studentët në Universitetin Bujqësor në Tiranë për 8 pikat e protestës studentore dhe Paktin për Universitetin mes qeverisë e studentëve.

“Prej shkurtit të këtij viti kemi hyrë në një program europian të kartës së studentit, që do të thotë ka pasur një marrëveshje mes disa vende të BE-së, ku Franca është vendi lider i projektit, që është zgjeruar për të gjitha vendet. Ne kemi hyrë në këtë program që karta e studentit, përveç shërbimeve në Shqipëri të jetë e markuar si EU kartë”, – bëri të ditur Rama.

Sipas tij, me EU kartë kur shkon në vendet me të cilat kemi marrëveshje, Francë, Gjermani, ti përfiton njësoj si studenti që është atje për muzeume, për filmat etj.

“Në 20 nëntor para se të fillonte protesta, nuk kishim informacion për protestën, me thënë të drejtën, kemi firmosur marrëveshjen me palën franceze, që është lidere e programit”, – tha Rama.

Për pajisjen e studentëve me kartën shqiptare Rama u shpreh se “kjo kartë duhej të ishte bërë. Keni të drejtë s’kemi çfarë të dialogojmë, ka ardhur koha të bëhet”.

Ndërsa për krijimin e bibliotekës online, Kryeministri Rama tha se “brenda janarit studentët do të kenë bibliotekën online, që është biblioteka më e madhe europiane për kërkimin shkencor se ka të gjithë fushat, zërat, etj.”.

“Për bibliotekat fizike është një temë tjetër”, – tha ai. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.